Vi.ktimat shqiptare të Kosovës kujtohen në rrugët e Beogradit

Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut dhe Qendra për të Drejtën Humanitare organizuan të mërkurën në rrugët e Beogradit një performansë me të cilën kujtuan viktimat civile shqiptare të Kosovës gjatë luftës së para dy dekadave.

Nën moton “I kujtojmë krimet në Kosovë” dhe pankartat tjera në të cilat ishin shkruar vendet në të cilat janë kryer masakrat më të tmerrshme gjatë luftës Pastasel, Rezallë, Dubravë, Mejë, Qyshk, Çikatovë e Vjetër, Tërrnje dhe Studime e Poshtme dhe e Epërme, një grup qytetarësh bënë homazhe viktimave.

Aksioni ishte titulluar “Rekonstruimi i krimeve”.

“Kujtojmë se përveç bombardimeve të NATO-s, banorët shqiptarë në Kosovë i janë ekspozuar edhe spastrimit etnik nga ana e regjimit të Slobodan Milosheviqit ndërsa forcat e armatosura kanë kryer një numër të madh krimesh të cilat kanë kulmuar me përzënien e 800 mijë shqiptarëve nga shtëpitë e tyre”, ka thënë Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Beograd.

“Me këtë rast ne shprehim dhimbjen dhe simpatinë tonë të thellë me familjet e të vrarëve”, tha kjo organizatë.

Veseli: Njerëzit poi kin nga Kosova sepse u ka humbur besimi, duhet rikthyer këtë besim

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në Konferencën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, për rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit, ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij për luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe dukurive të tjera negative, për çka i ka ftuar institucionet përgjegjëse që të punojnë më shumë.

Duke folur para të pranishmëve, Veseli tha se nëpërmjet korrupsionit po dëmtohen qytetarët e Kosovës, shteti dhe perspektiva e tij.

“Korrupsionin mund dhe duhet ta ndalim vet, secili, pa mëshirë. Duhet ngushtuar hapësirën për njerëzit e korruptuar, që nga politikanët, nga të cilët kemi mjaft dhe flasin më së shumti. Por nganjëherë duhet sanksionuar edhe gjyqtarët e prokurorët, në mënyrë që ta kryejnë punën e tyre, ngase gjyqësori duhet të jetë i paanshëm”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai shfaqi besimin se me reformat që kanë ndodhur në sistemin gjyqësor dhe me kapacitetet aktuale, ka mundësi dhe, siç tha ai, ka heronj të cilët do të dalin dhe do të ngrisin aktakuza edhe për njerëz të profilit të lartë politik.

Kreu i Kuvendit tha se njerëzit janë duke ikur nga Kosova, para së gjithash, sepse atyre u ka humbur besimi dhe ai besim duhet rikthyer.

Në këtë konferencë u paraqit edhe vizioni për formimin e Gjykatës Komerciale e cila është propozuar nga Veseli dhe do t’u mundësojë bizneseve që të zgjidhin më shpejt kontestet e tyre.

Duke folur për investimet dhe bizneset në Kosovë, Veseli tha se vonesat në zgjidhjen e kontesteve kanë shkaktuar probleme të mëdha në funksionimin e tyre, por edhe në ardhjen e investitorëve të rinj nga jashtë.

Ai tha se Kosova ka resurse të jashtëzakonshme humane dhe natyrore për zhvillim dhe për të mbajtur brenda njerëzit e saj. Kjo, sipas tij, bazohet në një strategji të mirëfilltë ekonomike, e cila bazamentin e ka në praktikat më të avancuara të ndërmarrësisë dhe ekonomisë së lirë private.

“Kjo është arsyeja pse e kemi shtyrë përpara procesin e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit dhe përgëzoj ministrin për hapat konkretë në këtë drejtim. Besoj që në një kohë rekorde do ta miratojnë ligjin në Kuvend dhe të krijojmë infrastrukturën e nevojshme për funksionalizimin e shpejtë të gjykatave komerciale”, theksoi Veseli.

Ai shtroi nevojën e harmonizimit të ligjeve, në mënyrë që të mos ketë ndërlikime dhe për rrjedhojë mos zbatim i tyre në praktikë.

Daçiq: Takimi në Berlin, priten presione ndaj Vuçiqit

Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Berlin e presin presionet në lidhje me Kosovën, tha sot ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq.

Duke folur për TV Pink, ministri i Jashtëm serb tha se ndërsa nuk pritet presione në lidhje me miratimin e një kornize për përmbajtjen e marrëveshjes me Prishtinën, por “gjithsesi do të jetë kulmi i presionit ndaj Serbisë që të vazhdojë dialogun, pavarësisht nëse Prishtina heq taksat apo jo” .

Ai vuri në dukje se takimi në Berlin, organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe në të cilën ishin ftuar liderët e gjashtë të Ballkanit Perëndimor, ka shkaktuar polemika në Bashkimin Evropian dhe që është i organizuar, pa dijeninë e Brukselit, shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini dhe anëtarëve të tjerë BE-së.

Daçiq theksoi se stabiliteti i brendshëm në Serbi është e rëndësishme për shkak të pozitës në negociatat për Kosovën dhe ka shtuar se krijon imazh që ka pasiguri politike, e cila minon pozitën e Beogradit në procesin e negociatave me Prishtinën.

Ai, megjithatë, ka shtuar se pozicioni i Serbisë është shumë i ndryshëm dhe më e mirë se para pesë apo gjashtë vjetësh.

Akuzat e Molliqajt për Konjufcën, flet ish agjenti i SHIK-ut: Ky është qëllimi i misionarëve të Thaçit e Halitit

Dardan Molliqaj i PSD-së akuzoi Glauk Konjufcën e VV-së se ishte pjesë e SHIK-ut gjatë periudhës kohore 2000- 2001, se ishte paguar 150 marka dhe se Fadil Lepaja ishte rekrutues i Konjufcës në SHIK. Për këtë çështje, Lepaja nuk është prononcuar për gazetën, por analistët thonë se edhe VV-ja duhet të turpërohet se çfarë njerëz të tipit të Dardan Molliqajt, Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut ka promovuar për vite të tëra në majat e LVV-së, e tash të njëjtit i quajnë kolegët e tyre pjesë të SHIK-ut.

E lidhur me këto akuza, për “Kosova Sot”, ka folur edhe ish agjenti i këtij shërbimi, Naim Miftari

“Akuzat kundër Glaukut janë akuza politike të porositura, por shtrohet pyetja çka synohet të arrihet me këto akuza e kundërakuza, aq më pak nga ish-shokët e tyre, lëvizja VV, e cila ka gabuar që ka afruar misionarë të porositur nga marrja e këshilltarëve të Hashim Thaçit e bashkëpunëtorëve të Xhavit Halitit e Ilmi Reçicës.

Qëllimi i këtyre misionarëve ishte që Albin Kurti, Liburn Aliu, Rexhep Selimi… e disa tjerë të përvetësohen nga brendapërbrenda, që dalëngadalë t’i afrohen PDK-së, ose nëse nuk iu ndez plani nga brenda të bëhet shpartallimi i VV-së, duke e copëtuar në fragmente këtë parti, pasi rreziku më i madh për krimin e organizuar politik në krye me Hashim Thaçin vjen nëse Albin Kurti vjen në pushtet dhe si idealist i pakorruptuar dhe deri me sot Albini është makthi i krimit të organizuar me pronto-aktorët e shumë klaneve tjera kriminalo-politike. Krimi i organizuar i ‘Prontos’, PTK-së, ‘Trepçës’, Aeroportit, klanit të AKM- AKP-së, Devollëve, pastaj klani i Shpend Maxhunit ‘Coca Cola Zero’ dhe ‘Vitës’, KEK- KEC, ETC… kanë vetëm një kundërshtar të njëmendtë, e ai është Albin Kurti dhe shpëtimi i Kosovës vjen nga bashkëpunimi i sinqertë nëse ndodh bashkimi serioz mes VV-së dhe LDK-së…”, ka thënë Miftari për “Kosova Sot”.

Sipas tij, sa i përket SHIK-ut, ai kurrë nuk do të hetohet as dënohet përderisa SHIK-u dhe PDK-ja janë në qeveri dhe mbajnë pushtetin e kontrollojnë policinë, gjyqësinë, prokurorinë, AKI-në Doganat FSK-në, Parlamentin,Televizionin publik, shumicën e shtypit, universitetet.

“Dhe, rreziku i Kosovës është se partitë politike janë të kapura nga klanet kriminale të disa bosëve që kontrollojnë dhe caktojnë ardhmërinë politike dhe caktojnë pushtetet për t’i mbrojtur interesat e tyre që 20 vjet rresht, deri diku e vetmja pengesë e tyre ishte Ibrahim Rugova, gjersa vdiq në mënyrë të shpejtë dhe të dyshimtë, por tani dekadën e fundit pengesë dhe rrezik i këtyre klaneve dhe disa çarqeve antishqiptare është Albin Kurti, nëse nuk ndryshon në të ardhmen. Sa i përket ShIK-ut, shumica e djemve dhe vajzave tona që kanë punuar aty kanë qenë njerëz të mirë dhe atdhetar. Deformimi, demonizimi dhe keqpërdorimi i SHIK-ut për të ardhur në pushtet me çdo kusht dhe për të fituar materialisht pasuri miliarda euro është bërë nga gjashtë ose shtatë udhëheqës që sot janë bërë multi-milionerë, ku vendin kryesor pa dyshim e mban bosi, Hashim Thaçi, me disa bashkëpunëtorë të tij. Ia ka tërhequr vërejtjen personalisht Xhelal Sfeçlës para 7 viteve se çka i pret në të ardhmen pikërisht nga këta njerëzit e ‘vet’, që sot i kanë kundërshtarët më të zëshëm të tyre po bënte be në kokën e tij se janë si një familje”, theksoi analisti Naim Miftari për gazetën “Kosova Sot”, që edhe vetë e ka pranuar publikisht se ka qenë pjesë e SHIK-ut.

Qeveria shqiptare dhuron 100 mijë euro për rindërtimin e Notre Dame, Sara Hoxha: Kuzhina ime kushton aq!

Ditë më parë, Katedralja Notre Dame në Paris u përfshi në flakë dhe një pjesë e saj tashmë është shkatërruar.

Tashmë shumë donatorë kanë ofruar para për rindërtimin e saj dhe raportohet se shifrat kanë arritur në një miliard euro.

Edhe qeveria shqiptare ka ndarë 100 mijë euro për të rindërtuar katedralen 850-vjeçare.

E me këtë shumë ka ironizuar edhe një prej trashëgimtareve të Top Medias, Sara Hoxha.

Kjo e fundit i ka thënë të motrës, Redias se vetëm kuzhina e saj kushton aq para sa ka ndarë qeveria shqiptare, të cilën bisedë e ka publikuar në rrjetin social, Snapchat.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 mijë euro duke iu bashkuar një numri të madh të donatorëve.

Qeveria gjermane bie dakord për ashpërsimin e rregullave të dëbimit

Qeveria gjermane miratoi projektin e “ligjit të kthimit të rregullt”, në mënyrë që të mos dështojnë kaq shumë riatdhesime. Ai parashikon që të lehtësohet arrestimi i personave me detyrim për t’u larguar nga Gjermania.

Në rrugë këtë projekt e vuri Ministria Federale e Brendshme nën drejtimin e Horst Seehoferit (CSU). Projekti i tij parashikon që në të ardhmen të jepen shumë më pak para për të huaj, të cilët janë njohur në një shtet tjetër të BE si refugjatë. “Shërbimet për ta reduktohen si të thuash në biletën e kthimit”, tha zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar Unionist, Thorsten Frei pas mbledhjes së kabinetit në Berlin.

Veç kësaj do të zgjerohen mundësitë që personat e detyruar për t’u kthyer të arrestohen, para kthimit të planifikuar. Një ndryshim i parakushteve për një rrezik të supozuar arratie do të bëjë të mundur që arresti të mund të zbatohet më lehtë. Meqenëse në Gjermani, për momentin ka vetëm 490 vende arresti për të huajt që duhet të largohen me detyrim nga Gjermania, Seehoferi do të lejojë deri në vitin 2022 që këta persona t’i fusin edhe në burgje të rregullta – por të ndarë megjithatë në mënyrë strikte nga të arrestuarit nën burgim hetimor dhe nga të arrestuarit e dënuar për vepra penale.

Sipas ministrit të Brendshëm, në vitin 2018 për herë të parë dështuan më shumë përpjekje për kthim me detyrim se sa u arrit të kthehen persona. 31.000 dëbime të caktuara nuk u kryen dot vitin e kaluar, vetëm 26.000 u zbatuan, deklaroi Seehoferi. Kjo është një situatë, të cilën një ministër i Brendshëm nuk mund ta pranojë, deklaroi Seehoferi.

Qytetet dhe komunat janë të mbingarkuara

E ngarkuara për Integrimin e Qeverisë gjermane, Annette Widmann-Mauz (CDU) i tha radios Deutschlandfunk se është e drejtë që të ndërmerret gjithçka, që ata që nuk kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtje të largohen sërish me shpejtësi nga Gjermania. Edhe Shoqata e Qyteteve dhe Komunave Gjermane e përshëndeti projektligjin si “instrument të mirë, për të shmangur një mbingarkim të qyteteve dhe komunave.”

Sipas të dhënave të drejtuesit ekzekutiv Gerd Landsberg, vitin e kaluar, prej rreth 180.000 refugjatëve që hynë në Gjermani, statusin e refugjatit ose të personave në nevojë për t’u mbrojtur e morën më pak se 40 përqind. “Megjithë ekzistencën e rregullave të qarta, arrihet gjithnjë e më pak që këta njerëz të kthehen në atdhetë e tyre.”

Kritika për projektligjin erdhi si nga opozita, ku liberalët e FDP-së folën për shkelje të kundërligjshme të sistemit, ashtu edhe nga organizata Pro Asyl, drejtuesi ekzekutiv i së cilës Günter Burkhardt deklaroi se propozimi ka si synim “zhveshjen nga të drejtat, më shumë arrest dhe një spostim nga Gjermania duke hequr shërbimet sociale”.

NASA dërgoi minj në hapësirë – publikohen pamjet dhe rezultatet interesante

Një studim i NASA-s mbi minjtë në mjediset e mikrogravitetit ka rezultuar me disa rezultate interesante.

Ndërsa NASA arrin të dërgojë njerëz në misionet më të gjata në mjedise me gravitet të ulët si Hëna dhe Marsi, shkencëtarët kanë filluar të studiojnë sjelljen e kafshëve në mikrogravitet, shkruajnë mediat e huaja.

Kështu, siç thuhet tutje, javën e kaluar, shkencëtarët publikuan studimin e parë të detajuar mbi minj në këto mjedise.

Minjtë ishin vendosur në modulet e NASA dhe sjelljen e tyre ishin filmuar gjatë rrjedhës së pothuajse një duzinë studimeve.

Dhe gjetjet ishin se brejtësit kryen “të gjitha sjelljet tipike të miut”, madje edhe në një mjedis “pa peshë”.

Gjatë 37 ditëve në mikrogravitet, një kohë të gjatë në ciklin jetësor të minjve, minjtë vazhduan të hanë normalisht dhe të ndërveprojnë me njëri-tjetrin.

Megjithatë, një ndryshim që u vëzhgua, ishte diçka që shkencëtarët e quajtën “ndjekja e garës”.

“Një sjellje unike u pa në disa minj, duke filluar rreth një javë pas lansimit”, thuhet në publikimin e NASA-s.

“… minjtë më të rinj në hapësirë ishin më aktivë fizikisht sesa homologët e tyre në terren”.

Studimi zbuloi gjithashtu se minjtë filluan “vraponin rreth kafazit”, gjë e cila së shpejti evoluoi “në një aktivitet grupi”.

April Ronca, autori kryesor i raportit dhe një studiues në Ames Research Center të NASA, tha se studimi është ndriçues dhe ka implikime për udhëtimin njerëzor në hapësirë.

Terroristi i Zelandës së re plagosi rëndë vajzën 5 vjeçe, babai: Të dënohet me vdekje

Terroristi i Zelandës së Re, Brandon Tarrant, ua mori jetën 50 personave në Christchurch.

Mes personave që la të plagosur ishte edhe 5-vjeçarja Alen e cila aktualisht po lufton për jetën në spital pas dëmtimeve serioze që mori në tru.

Babai i vogëlushes, Wasseim Alsati, i cili e ka marrë veten pasi u plagos prej terroristit, ka treguar se vajza e tij vazhdon të mbetet në gjendje të rëndë

Alen ka marrë dëmtime serioze në tru dhe për këtë arsye nuk mund të shohë, të flasë dhe nuk i njeh njerëzit që e rrethojë.

Alsati postoi së fundmi foto të sajat në spital duke kërkuar që vrasësi të dënohet me vdekje.

Wasseim u shpreh për Mail Online:

“Ne po trajtohemi, njerëzit janë ende në spital. Por kemi vendosur që t’i kërkojmë qeverisë që ai të dënohet me vdekje. Arsyeja përse zgjodhi Zelandën e Re është se nuk kemi dënim me vdekje. Por me një çështje të tillë, ne kemi nevojë që të ndryshojmë ligjin…Nuk kërkojmë asgjë më shumë veçse të varet.”

Kështu duket sot katedralja Notre-Dame që u dogj mbrëmë FOTO

Janë publikuar fotot e para të Katedrales së famshme “Notre Dame” në Paris të Francës e cila dje u përfshi nga një zjarr i madh.

Mediat ndërkombëtare kanë publikuar fotografi të Katedrales më të famshme në botë, pasi u ndal zjarri, shkruan Gazeta Express.

Autoritetet në Paris kanë treguar se është dëmtuar çatia e saj krejtësisht po baza e katedrales nuk ëahtë rrënuar, kështu që ka shpresë për renovim.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka premtuar se do të rindërtohet.

Noizy sërish në sherr me Oriolën, lajmëron vet se e ka hequr nga lista e ndjekësve

v

Noizy dhe Oriola Marashi kanë qenë gjithnjë të komentuar për shoqërinë e tyre që nisi 2 vite më parë.

Dyshja shiheshin shpesh në shoqërinë e njëri-tjetrit dhe u tha se Oriola do të publikonte një këngë që do të mbante markën e OTR.

Mirëpo mes Noizyt dhe Oriolës duket se ka ndodhur një tjetër zënkë si ajo që ndodhi para disa muajsh kur hoqën njëri-tjetrin nga Instagrami.

Pasi u tha se kanë bërë sherr, ata filluan të ndiqnin njëri-tjetrin në Instagram dhe Noizy publikoi një foto ku shkroi “Kaq ishte” dhe vendosi emoji duke qeshur me lot.

Por teksa i hodhëm një sy Instagramit të tyre, ata nuk ndiqen sërish në këtë rrjet social. Por çfarë të ketë ndodhur tani?

Arsyeja e kësaj zënke nuk dihet, por të paktën ata nuk kanë fshirë nga Instagrami fotot që kanë bashkë.